“Roli i grave në përfaqësimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës”

Ndriqim Imeri, Fitues i Garës për Ese

Kur shkruan për rolin dhe ndikimin e grave në përfaqësimin e popullit në Kosovë, është e pamundur të mos trajtosh perspektivën historike. Fatkeqësisht, jo vetëm në shoqërinë tonë, por edhe në të gjithë botën, diskriminimi historik i grave ka qenë dhe ndoshta mbetet si kriza më e madhe dhe më e gjatë e njerëzimit. Në disa vende të Evropës, barazia gjinore më në fund ka triumfuar. Ndërsa, tek ne një gjë e tillë është ende shumë larg për të ndodhur.

Shoqëria jonë ka pasur sfidën më të madhe dhe ndoshta më të vështirën. Përderisa vendet perëndimore, vlerat i kanë krijuar me evoluim kulturor dhe kanë krijuar kushte që normat juridike të iu përshtaten sjelljeve të shoqërisë, në rastin tonë, është imponuar e kundërta. Duke marrë parasysh historinë tonë, përgjatë të cilës  toka dhe shoqëria e Kosovës  asnjëherë nuk janë vet-qeverisur, niveli kulturor i shoqërisë sonë ka qenë shumë i ulët. Si efekt i këtij niveli të ulët kulturor, padyshim që ka qenë edhe fryma patriarkale, e cila ka mbizotëruar me shekuj dhe ende ekziston si mentalitet për një pjesë relativisht të madhe të qytetarëve të Kosovës. Për ta bërë të mundur një përmirësim të kësaj gjendjeje, institucionet kompetente kanë krijuar norma të nivelit të lartë demokratik, roli i të cilave  shtrihet edhe në “edukimin” e qytetarit. Diskriminimi i gruas kosovare në të gjitha fushat, e sidomos në politikë dhe përmirësimi i domosdoshëm i kësaj gjendjeje padyshim se hyn në procesin e “edukimit” qytetar.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si akti më i lartë juridik dhe politik i vendit, parimin e barazisë gjinore e ka të inkorporuar si me dispozita të veçanta ligjore, ashtu edhe me vendosjen e këtij parimi si një ndër shtyllat themelore mbi të cilat krijohet fryma kushtetuese. [1]Pjesëmarrja e grave kosovare në organet legjislative, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, rregullohet konkretisht me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili garanton pjesëmarrjen prej 30% të grave në ulëset e Kuvendit..[2] Ligji nxit dhe siguron të paktën një minimum të numrit të grave në përfaqësim, por ajo që mbetet shqetësuese është roli dhe ndikimi real që mund të ofrojnë gratë, sidomos në një vend të cilin e kanë qeverisur keq burrat për një kohë të gjatë. Kuota gjinore e cila garanton pjesëmarrjen e grave në politikë i ka dy dimensione. Së pari është ana formale apo juridike, e cila identifikohet si normë ligjore, dhe pastaj është dimensioni apo ana materiale, e cila duhet të jetë rezultat apo produkt i dimensionit formal. Fatkeqësisht, tek ne, rezultati i normave ligjore ende nuk është pozitiv.

Shpeshherë shohim se gratë të cilat na përfaqësojnë, përdoren si “kukulla” për fushata elektorale, me të cilat na gënjejnë për diverzitet e barazi gjinore, e që pastaj pikërisht këta që “promovojnë” këtë “barazi,” vazhdimisht vendosin burra në organe vendimmarrëse. Thënë shkurt, gratë kosovare në politikë dhe përfaqësim popullor, më shumë përbëjnë numra që i kërkon ligji, sesa emra që mund të bëjnë ndryshimin e shumëpritur në shoqërinë tonë.

Mentaliteti patriarkal i një pjese relativisht të madhe të shoqërisë, është një burim tjetër i karakterit sipërfaqësor të pjesëmarrjes së grave në politikën kosovare. Përgjatë zgjedhjeve që janë mbajtur pas shpalljes së pavarësisë, statistikat tregojnë se në raport me pjesëmarrjen në lista zgjedhore, gratë, (mesatarisht) votohen shumë pak në krahasim me burrat. [3]Si në zgjedhje qendrore ashtu edhe në ato lokale, politikanët më të votuar të listave zgjedhore përkatëse, janë burrat. Shpeshherë gratë që fitojnë ulëset e përfaqësueseve të popullit kanë më pak vota se shumë burra të tjerë që nuk fitojnë këto ulëse. Fatkeqësisht, kjo tregon edhe për anën tjetër të errët të kësaj problematike. Ajo që mund të thuhet është se qytetarët e Kosovës, relativisht, nuk kanë besim se gratë kosovare mund të bëjnë përfaqësim politik të denjë. Edhe pas 12 viteve shtet i pavarur, kuota gjinore mbetet si garancia e vetme që gratë të përfshihen në përfaqësimin e qytetarëve të Kosovës. Se kuota gjinore shërben si e vetmja garancë, padyshim, e tregon fakti që gjatë tërë historisë shtetërore të Kosovës, vetëm një komunë është qeverisur nga një grua dhe atë vetëm për një mandat.[4] Po ashtu, përpos pozitës së pafavorshme të grave në organet legjislative, gratë kosovare përballen me diskriminimin sistematik edhe në organet ekzekutive. Në pothuajse të gjithë kabinetet qeveritare të Kosovës, burrat kanë dominuar në krahasim me gratë, sa i përket udhëheqjes së dikastereve. Gratë kosovare kanë vullnetin, dëshirën, shkollimin dhe profesionalizmin e duhur që me kontributin, rolin dhe ndikimin e tyre të sjellin ndryshim për të mirë, në një vend të qeverisur keq nga burrat. Megjithatë, ato përballen me diskriminim dhe kategorizim, si nga kolegët e tyre politikanë, ashtu edhe nga vetë qytetarët e Kosovës, të cilët ende nuk e kanë gjetur “besimin” tek ato. E që pjesëmarrja dhe roli i grave në politikë të jetë njëmend relevant, gratë politikane duhet të kenë më shumë besim qytetar.

Çështja e besimit qytetar që gratë e gëzojnë pak, në raport me burrat, është problem që i ka rrënjët ndoshta në edukimin fillestar, frymën patriarkale në të cilën jemi rritur, sistemin arsimor, e shumë të tjera. Të gjitha këto shkaqe, kanë ndikuar në krijimin e perceptimit të gabuar të qytetarëve kosovarë ndaj grave në politikë. Megjithëse këto probleme janë ende shumë të dukshme, viteve të fundit, shohim disa shkëndija të vogla që na bëjnë të shpresojmë se më në fund, gratë në politikën kosovare do ta kenë vendin e merituar. Ndonëse jo si tërësi, në përmasa individuale,  në vitet e fundit shohim një rritje të vogël të votave që marrin gratë në zgjedhje elektorale. Kjo rritje e votave mund të shërbejë si parametër që tregon se qytetarët e Kosovës dalëngadalë kanë filluar të iu besojnë grave për përfaqësimin politik të tyre.

Të gjithë jemi dëshmitarë të diskriminimit të grave në shoqërinë kosovare, në të gjitha fushat e jetës, përfshirë politikën, dhe jemi të bindur se përmirësimi i gjendjes së tillë, duhet të ndodhë. Si fillim,  për triumfin e ardhshëm të barazisë gjinore, gratë duhet të sigurojnë besimin qytetar për pjesëmarrje më të lartë në politikë, gjë që do të ndikonte në transformim kulturor të shoqërisë në përgjithësi. Barazia gjinore në politikë, si me pjesëmarrje ashtu edhe me ndikim, do të shërbente si tregues mjaft i qartë për barazi gjinore, edhe në shkallët më të ulëta në hierarkinë shtetërore-shoqërore, si në sektorin publik, ashtu edhe në sektorin privat. Si dëshmitarë të një përmirësimi minimal të pozitës së grave në politikën dhe përfaqësimin e qytetarëve të Kosovës, duhet t’i thërrasim mendjes, të nxisim dhe të stimulojmë veprime dhe procese të tjera që do të ndikonin në fuqizimin e gruas në vendimmarrje dhe përfaqësim. Amendamentet kushtetuese ku kuota gjinore do të rritej, ndoshta do të ishin ide e duhur, për të stimuluar akoma këtë ndryshim të sapofilluar.

Në shtetet ku qeverisin gratë, ekziston një mirëqenie e lartë shoqërore. Këtë na e tregojnë vende si Gjermania apo Finlanda dhe herët apo vonë, pashmangshmërisht edhe tek ne do të qeverisin gratë. Ndryshimi ka filluar, por rruga do të jetë shumë e gjatë.

Mohimi i përgjegjësisë: Pikëpamjet dhe analizat e shprehura në këtë raport janë vetëm të autorit, dhe ato nuk reflektojnë pikëpamjet e donatorëve.

Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit “Barazia gjinore në Kosovë: Fuqizimi i Grave dhe Vajzave – Një thirrje për ndryshim” i financuar nga Fondi i Iniciativave Lokale të Kanadasë (CFLI) – një nismë e Qeverisë së Kanadasë”.


[1]  Kushtetuta e Kosovës https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=3702
[2] LIGJI NR. 03/L-073 per Zgjedhjet  e pergjithshme ne  Republiken e Kosoves https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=2544
[3] Balkans Policy Research Group, Gratë në Politikë: (Pa)Barazia Gjinore në Politikë dhe Vendimmarrje https://www.hero-tech.net/balkansgroup/grate-ne-politike-pabarazia-gjinore-ne-politike-dhe-vendimmarrje-4/
[4] Ibid,7



Qamil Hoxha street ob. no. 29
appartment no. 7,
Prishtina
10000, Kosovo


Opening Hours:

Mon – Fri: 09:00  – 17:00

 

Connect with us:

[custom-twitter-feeds feed=1]